Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj L.H, i cili gjendet në paraburgim.
Kjo për shkak të shitblerjes të narkotikëve.
I dyshuari me datë 06.05.2023 rreth orës 18:40 min në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim importon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “kokainë”.
“I haset nga zyrtarët policor përkatësisht njësiti Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, me veturën e marrë në “Rent a Car” e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, brenda automjetit gjendet dhe sekuestrohet një qese plastike e substancës së dyshuar për narkotikë me peshë prej 101.49 gram dhe gjatë kontrollit një qese tjetër të dyshuar për narkotikë në peshë prej 0.82 gram i është gjetur në trupin e të pandehurit, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 102.31 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit “kokainë”, përderisa të njëjtën natë në gjatë urdhër kontrollit të kryer në shtëpinë e të pandehurit, e cila gjendet në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar tri peshore digjitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit)”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie përcjell Klankosova.tv
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.