Një aksion dramatik ka ndodhur në Suharekë, ku një burrë i kërkuar për dhunë në familje të ndodhur me 20 prill 2025, është arrestuar pas disa orësh negociata me Policinë, ndërsa ishte i armatosur me disa armë zjarri dhe municion, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Duhël, ku N.G, 50-vjeçar, pasi ishte arratisur për ditë të tëra, sot rreth orës 14:30 është lokalizuar nga sektori i hetimeve në një objekt ndihmës pranë shtëpisë së tij.
Kur patrulla ka arritur në vendngjarje, N.G mbante në duar një pushkë gjysmë automatike dhe një pistoletë, duke refuzuar të dorëzohej dhe duke shfaqur rrezik serioz për jetën e policëve dhe të vetes.
Përballë situatës së tensionuar, janë angazhuar njësi të shumta policore që kanë zhvilluar negociata intensive për disa orë. Vetëm rreth orës 18:00, policia arriti ta bindte të dyshuarin të vetëdorëzohej pa përshkallëzime të mëtejshme.
Në vendngjarje janë sekuestruar: • Një pushkë gjysmë automatike (kalibër 7.62 mm) • Një pistoletë Zoraki M 906T (kalibër 7.65 mm) • 24 fishekë të kalibrit 7.62 mm • 7 fishekë të kalibrit 7.65 mm • 9 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm
Tashmë, ndaj Graishtës është shtuar akuza për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, përveç rastit fillestar të “Dhunës në Familje” dhe “Lëndimit Trupor”. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe hetimet janë duke vazhduar.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të sjellë detaje të reja lidhur me këtë ngjarje të jashtëzakonshme./Gazeta Sinjali/