Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ka ndodhur një rast i rëndë brenda një familje, ku një burrë – shtetas turk – dyshohet se ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare me thikë, raporton 04 Online.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Pruzren, duke thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, ndërsa vajza tjetër 10-vjeçare dhe nëna e tyre kanë pësuar lëndime trupore. Sipas këtij njoftimi, të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë duke marrë trajtim mjekësor në QKUK. I dyshuari është vetlënduar, por ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Prokuroria Themelore në Prizren po zhvillon hetimet në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e këtij rasti tragjik.
“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se sot, më datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë.
Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krim tekniken dhe zyrtarët e IML-së, të pëfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Prizren./04 Online