Një rast i rëndë i ngacmimit ndaj një të miture është raportuar mbrëmë në Prizren, ku hetuesit rajonalë kanë ndaluar një person që dyshohet se ka kryer disa vepra penale, mëson Sinjali nga burime të besueshme të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur më 06 dhjetor 2025, rreth orës 21:00, në lagjen Tranzit i Ri në Prizren, ku Hermes Arapi, 31 vjeçar, dyshohet se ka ngacmuar një vajzë të mitur, A.K., 10 vjeçare, brenda një marketi.
Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Sektori i Hetimeve Rajonale Prizren, është zbuluar se Arapi dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe në vjedhjen e një veture në Prizren, për të cilën është iniciuar rast i veçantë. Verifikimet në sistem kanë treguar gjithashtu se ai ishte në kërkim policor nga Stacioni Policor Fushë Kosovë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Për shkak të të dhënave shtesë mbi identitetin dhe lëvizjet e tij, janë njoftuar edhe autoritetet e Republikës së Shqipërisë përmes zyrës ndërlidhëse ILECU.
Hetimet po vazhdojnë./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














































