Mbi 35 mijë patentë-shoferë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës si masa sanksionuese ndaj shkeljeve dhe kundërvajtjeve në trafikun rrugor. Nënkolonel Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, për Radio Kosovën thotë se në vitin 2022 diku 33 për qind ka qenë rritja e masave ndëshkuese ndaj kundërvajtësve në trafik.
Siguria në trafikun rrugor vazhdon të mbetet sfidë në Kosovë. Policia e Kosovës është ajo që përveç aktiviteteve vetëdijesuese, penalizon shoferët e pandërgjegjshëm, duke ua konfiskuar patentë-shoferët.
Nënkolonel Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës thotë për Radio Kosovën se Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit të kaluar, përveç kundërvajtjes me gjobë, mbi 9 mijë personave ua ka konfiskuar patentë-shoferë.
Rexhepi thotë se sipas ligjit, kundërvajtja më e lehtë është konfiskimi i patentë-shoferit për tre muaj dhe kundërvajtja më e rëndë konfiskimi i patentë-shoferit deri në dy vite.
“Nga fillimi i masave mbrojtëse në nivel vendi nga viti 2018, janë mbi 35 mijë shoferë që iu është ndaluar ngasja e mjeteve motorike,ndërkaq 90 mijë shoferë janë që kanë marrë pikë negative varësisht prej shkeljeve që kanë bërë”, ka thënë Rexhepi.
Policia e Kosovës në planin e punës për vitin 2023 ka paraparë aktivitete që zhvillohen nëpër të gjitha policitë e trafikut në mbarë Evropën. Nënkolonel Rexhepi thotë se gjatë këtij tremujori, Policia e Kosovës rëndësi të veçantë i ka kushtuar infrastrukturës rrugore.
“E kemi ndarë sidomos pjesën e parë të vitit që të merremi më shumë me rreth-rrotullimet dhe me nënkalimet, mbikalimet dhe vendkalimet e këmbësoreve në rrugë”, ka thënë ai.
Edhe qytetarët pajtohen më masën e konfiskimit të patentë–shoferit në rast të shkeljeve të ligjit. Kjo sipas tyre ndikon edhe në zvogëlimin e aksidenteve.
“Pajtohem me konfiskimin e patentë-shoferit nëse bënë shkelje..Unë mendoj se kjo është një gjë e mirë, sepse nuk i lejon shoferët të bëjnë gjeste pa lidhje në komunikacion”, deklaroi një qytetarë.
Ndryshe nëpër rrugët e vendit janë mbi 800 mijë shoferë dhe mbi 400 mijë automjete në qarkullim. Ndërkaq vetëm gjatë sezonit veror mbi 200 mijë automjete vijnë nga diaspora./RTK