Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur kontratë për furnizim me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë. Vlera e kontratës është mbi katër milion euro. Kompania gjermane “Veridos Gmbh” është shpërblyer me kontratë nga MPB-ja, e cila do të realizojë furnizimin emergjent me material me pasaporta, pasi shërbimi për lëshimin e pasaportave është ndërprerë rreth një muaj më parë si pasojë e mungesës së materialit.
Pritjet e qytetarëve ju ka ardhur fundi ata nga e hëna do të kenë mundësi të pajisen me dokumente të udhëtimit.
Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë publike, me procedurë emergjente, për furnizimin me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë.
Problemet për furnizim me këto dokumente, ministri Xhelal Sveçla i kishte lidhur me luftën në Ukrainë.
“Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit.
Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë materialin e nevojshëm duke mundësuar kështu prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve dhe pa vonesa andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve rreth situatës së krijuar”, kishte thënë Sveçla.
Ministria e Punëve të Brendshme do të njoftoj opinionin publik sapo të furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të materialit bazë për personalizim të dokumenteve.
Tenderi i rregullt për furnizim me material për pasaporta është hapur në prillin e këtij viti. Deri tani nuk ka arritur të finalizohet.
Në nëntor të këtij viti, tenderi ishte anuluar me arsyetimin se asnjëra nga kompanitë që ka aplikuar në tender nuk është e përgjegjshme.
Ky vendim është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ende nuk ka përfunduar afati ligjor i këtij institucioni për trajtimin e rastit./IndeksOnline