Ramush Haradinaj ka thënë se nga java e parë e muajit shtator do të filloj një proces bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në vendbanime të ndryshme të vendit.
Këtë formë bashkëbisedimi Haradinaj ka thënë se po e bën për shkak të situatës së krijuar ekonomike e politike në Kosovë.
“Të nderuar anëtarë e simpatizantë të Aleancës, të nderuar qytetarë të Kosovës
Procesi i dialogut, situata e krijuar politike dhe ekonomike në vend, na shtynë të jemi më të angazhuar e më të fokusuar si asnjëherë me parë.
Që nga java e parë e shtatorit të këtij viti, do të filloj një proces bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në vendbanime të ndryshme të vendit.
Do të flasim hapur për dialogun për njohje reciproke Kosovë-Serbi; për situatën e rëndë ekonomike – sociale me theks të veçantë për krizën e rëndë energjetike.
Poashtu edhe për tema të tjera që sot e preokupojnë vendin dhe qytetarin.
Këto ditë do t’ju njoftoj për orarin dhe vendin e takimeve” shkruan Haradinaj në njoftim./Indeksonline