Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy të dyshuarve lidhur me rastin në Prizren, ku si pasojë e garës mes dy veturave, tre këmbësorë gjetën vdekjen, shkruan Reporteri.net.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i ksaj gjykate, Marcel Lekaj.
Sot gjatë ditës Gazeta Online Reporteri.net publikoi pamje të reja nga momenti tragjik i së shtunës së 16 dhjetori.
Në pamjet e publikuara dëgjohen personat që ishin aty duke përcjellur garën, të cilët bërtisnin e qanin me zë, derisa thërrisnin edhe emrin e njërit nga viktimat.
“Kuku,,,kuku…çu more çuu..hej o Lord…”, dëgjohen zërat e personave që po xhironin nga afër garën e dy të rinjve atë natë në autostradë.
Të shtunën rreth orës 23:00 dy persona në autostradën “Ibrahim Rugova” po garonin me njëri-tjetrin, derisa një nga ta e humb kontrollin mbi veturën dhe si pasojë godet personat që ishin duke xhiruar me telefona garën, ku dhe mbesin të vdekur tre të rinj nga Gjakova.
Dy nga tre viktimat u raportua se ishin futbollistë të ekipit “KF Gjakova”, ku dielën në mëngjes pati edhe një reagim nga vet klubi.
Lidhur me rastin pati reagime të shumta, derisa u kërkua që organizime të tilla të ndalen menjëherë dhe dënimet të ashpërsohen./Reporteri