Mungon vetëm zyrtarizimi, por Neymar do të transferohet në orët në vazhdim në Al-Hilal.
Për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit brazilian, klubi i pasur saudit i ka shpenzuar 90 milionë euro, të cilat ia pagoi Paris Saint-Germainit, që ishte në pronësi të kartonit të lojtarit.
Ish-futbollisti i Santosit dhe i Barcelonës pritet të paguhet deri në 150 milionë euro në vit, respektivisht me një pako prej 300 milionësh, përmes një kontrate dyvjeçare.
Por, a do t’i japë fund përgjithmonë me këtë rast ai eksperiencës evropiane?
Shumë njerëz thonë “po”, mirëpo kështu nuk mendon edhe mediumi italian “Corriere della Sera”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas tij, Neymar synon të rikthehet në Evropë pas dy vjetësh për t’u përgatitur sa më mirë për Kupën e Botës 2026.
Bëhet fjalë për edicionin në të cilin Brazili i Carlo Ancelottit do të mundohet ta fitojë trofeun që i mungon që nga viti 2002.
Neymar i shqyrtoi edhe ofertat e ligës amerikane MLS, pastaj të Chelseat e mbi të gjitha të Barcelonës, ku ëndërronte të rikthehej, por më pas e zgjodhi Arabinë Saudite.
Sidoqoftë, Evropës duket se i ka thënë mirupafshim, e jo një lamtumirë…