Hedhja e fëmijëve në ajër si lojë mund të duket argëtuese, por në disa raste mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e tyre.
Në një intervistë për gazetën Panorama, mjekja neuropediatre Migena Kika shpjegon se ndonëse rastet e traumës së kokës nga lojërat e zakonshme janë të rralla, forma të tjera të ndërveprimit si shkundja e fëmijës në momentet e nervozizmit mund të jenë fatale. Sindroma e bebes së shkundur (Shaken Baby Syndrome) është një ndër shkaqet më të zakonshme të dëmtimeve serioze tek foshnjat, sidomos gjatë muajve të parë të jetës. Diagnoza është shpesh e vështirë, pasi simptomat mund të ngatërrohen me gjendje të tjera neurologjike. Mjekja Kika shpjegon pasojat e kësaj sindrome në tru, në sy dhe në palcën kurrizore, si dhe rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme në rastet kur dyshohet për një traumë të tillë. Ajo thekson gjithashtu se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj çdo ndryshimi të papritur në sjelljen apo gjendjen e bebit.
Çfarë është sindroma e bebes së shkundur dhe pse konsiderohet kaq e rrezikshme?
Termi shaken baby syndrome (SBS, sindroma e bebes së shkundur) është një formë abuzimi fizik ndaj fëmijës dhe përbën shkakun e dytë të vdekjeve te fëmijët nën moshën 1 vjeç, pas sindromës së vdekjes së papritur te fëmijët. Kapja e fëmijës nga supet dhe tundja apo shkundja e tij bën që koka të ndërmarrë lëvizje rrotulluese. Efektet e këtij abuzimi janë më të rënda te fëmijët, sepse koka është më e madhe dhe muskujt e qafës janë më të dobët.
Në cilat grupmosha është më e shpeshtë kjo sindromë dhe pse?
Sindroma e bebes së shkundur është më e zakonshme te fëmijët nën 2 vjeç, por mund të ndodhë edhe te fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Rastet më të shumta janë te bebet me moshë 6 deri në 8 javë, sepse kjo është koha kur bebet qajnë më shumë.
A mund të shkaktojnë lodrat ose lojërat e zakonshme dëmtime të ngjashme?
Loja me fëmijën, p.sh. tundja në prehër apo hedhja në ajër, nuk shkakton trauma te fëmija. Zakonisht këto ndodhin kur bebja “shkundet” ndërkohë që i rrituri është i frustruar apo me inat.
Cilat janë pasojat në tru dhe sistemin nervor të fëmijës nga kjo lloj tundjeje?
Kjo lloj tronditje që pëson truri gjatë shkundjes së bebes shkakton dëmtim të rëndë të tij, por mund të kemi edhe dëmtim të shpinës kurrizore. Në raste të rënda efektet kombinohen me encefalopati ishemike hipoksike.
A kemi të bëjmë gjithmonë vetëm me tundje, apo edhe me trauma të tjera?
Ndërkohë që thjesht tundja është e mjaftueshme për të shkaktuar dëmtim, në shumë raste kemi kombinim të tundjes me traumën ose vetëm efektin e traumës, dhe termi “sindroma tundjeefekt-traumë” (shaking-impact syndrome) është përdorur nga disa autorë. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon termin traumë abuzive e kokës (abusive head trauma, AHT), që i përmbledh të dy efektet: si tundjen e kokës, ashtu edhe ndikimin e traumës. Prandaj, termi “sindroma e bebes së shkundur” shihet si pjesë përbërëse e AHT. Sindroma e bebes së shkundur nuk ndodh pas dëmtimeve të parëndësishme apo manipulimeve të përditshme me beben. Duhet një forcë e madhe për të prodhuar dëmtim të trurit. Mund të vijë pas një episodi të vetëm ose pas abuzimeve të përsëritura.
Si shfaqen shenjat klinike dhe pse shpesh është e vështirë të diagnostikohet?
Bebet me sindromën e bebes së shkundur zakonisht çohen në urgjencë me shenja klinike jo specifike si hipotonia, të vjella, janë si të hutuar, të irrituar dhe letargjikë, dhe këto shenja mund të ngatërrohen me çrregullime të tjera. Një pjesë e madhe janë apneikë dhe komatozë ose paraqiten në gjendje të vdekur që në momentin e lindjes. Diagnoza është e vështirë dhe kërkon ekzaminim fundoskopik dhe survejim të hollësishëm.
Cilat janë dëmtimet tipike që ndodhin në tru dhe sy?
Hematomat subdurale dhe hemorragjitë retinale janë tregues të sindromës së bebes së shkundur. Encefalopatia dhe vdekja vijnë si rezultat i EHI, patologjia kyçe në sindromën e bebes së shkundur, si dhe nga rritja e presionit intrakranial. Lëvizja nga njëra anë në tjetrën e kokës gjatë tundjes shkakton stres të fortë në junksionin kraniocervikal dhe në pjesën e poshtme të trungut të trurit. Në rastet ekstreme, palca e kurrizit mund të ndahet nga trungu i trurit. Nëse ushtrohen forca të mëdha, mund të dëmtohet funksioni i qendrave vitale në trungun e trurit duke shkaktuar apne qendrore. Edema cerebrale që shoqëron EHI rrit presionin intrakranial dhe rëndon situatën e EHI. Dëmtimet dhe çarjet vaskulare nga tundja shkaktojnë hemorragji parenkimale mikroskopike ose më të mëdha. Infarktet e përhapura në mënyrë të çrregullt janë të zakonshme. Këto lezione i shtohen deficiteve neurologjike dhe rrisin më tej presionin intrakranial. Hematomat subdurale e rëndojnë më tej situatën gjithashtu. DAD mund të prekë junksionin korteks–substancë e bardhë, korpus kallosum, kapsulën e brendshme ose trungun e trurit dhe kontribuon në encefalopati. Fëmijët me sindromën e bebes së shkundur kanë zakonisht edhe fraktura në brinjë, kafkë dhe fraktura të tjera, dëmtime në lëkurë dhe inde të buta, dëmtime të brendshme dhe shenja të tjera të traumës.
Çfarë masash duhet të ndërmerren menjëherë nëse dyshohet për një rast të tillë?
Masat e menjëhershme që duhen të merren në këtë rast janë: vendoseni me kujdes beben shtrirë në kurriz. Nëse dyshohet për dëmtim të shtyllës kurrizore, mirë është të jenë dy persona që ta shtrijnë në mënyrë që koka dhe qafa të mos përkulen apo përdridhen; pozicionohuni: nëse fëmija është nën një vjeç, vendosni dy gishta në mesin e kraharorit; nëse është mbi një vjeç, vendosni gjithë dorën. Dorën tjetër vendoseni në ballin e bebit në mënyrë që qafa të jetë e tendosur pak mbrapa; filloni shtypjet: shtypni rreth 30 herë pa ndaluar dhe duke numëruar me zë të lartë; bëni frymëmarrjet me gojë: pas shtypjeve, shihni nëse ka frymëmarrje. Nëse jo, mbuloni gojën dhe hundën e bebit me gojën tuaj. Sigurohuni që rrugët e ajrit të jenë të lira. Çdo frymëmarrje duhet të zgjasë rreth një sekondë dhe të bëjë kraharorin të ngrihet; vazhdoni: vazhdoni 30 cikle shtypjeje me 2 frymëmarrje derisa të vijë ndihma. Kontrolloni për frymëmarrje. Shumë shpesh, fëmijë të tillë mund të kenë të vjella. Në këtë rast, kthejeni beben anash, por i gjithë trupi duhet kthyer e jo përdridhur nëse dyshohet një dëmtim i palcës së kurrizit. Bebes nuk i jepen ujë apo ushqime dhe nuk ngrihet në krahë.
Ka ndonjë trajtim specifik për sindromën?
Nuk ka mjekim për shaken baby syndrome. Në raste ekstreme, bebi mund të përfundojë në kirurgji për të trajtuar gjakderdhjen në tru. Mund të jetë e nevojshme edhe kirurgjia për dëmtimet në sy, përpara se të dëmtohet përfundimisht shikimi./Gazeta Panorama