Nesër do të nis zyrtarisht gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat e Komunës së Prizrenit, pas shtyrjes së fillimit të procesit mësimor me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), shkruan 04 Online.
Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë ishte paraparë të ndodhte më 8 janar, mirëpo për shkak të reshjeve të mëdha dhe vërshimeve që përfshinë shumë komuna të Kosovës, MASHTI mori vendim që mësimi të shtyhet, me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor.
Me përmirësimin e kushteve atmosferike dhe stabilizimin e situatës në terren, shkollat janë të gatshme të rifillojnë procesin mësimor, ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit pritet t’i kthehen bankave shkollore nga dita e nesërme./04 Online














































