Nëntori i shqiptarëve, si frymëzim për Kosovën dhe Shqipërinë në ndeshjet kualifikuese

0
47

Pas dy nëntoreve historikë që kanë shënuar fatin e kombit (1443 – ngritja e flamurit nga Skënderbeu në Krujë dhe 1912 – shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë), ky muaj i nëntorit të vitit 2025 mund të shkruajë një faqe tjetër të paharrueshme – kësaj here në fushën e futbollit.

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë luajnë nga dy ndeshje jetike përgjatë këtij muaji, të cilat luhen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026, që mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë, shkruan “Gazeta Express”.

Dy kombëtaret ëndërrojnë që të arrijnë të paktën play-offin e Botërorit, i cili do të ishte një hap i madh për të realizuar një ëndërr të kahmotshme. Madje, Kosova – në varësi të disa kombinimeve të rezultateve – mund të përfundojë edhe në vendin e parë të grupit dhe të sigurojë direkt kualifikimin në turneun më të madh të futbollit.

Në një muaj ku historikisht ka qenë i lavdishëm për shqiptarët – ekziston një mundësi e madhe që bashkon dëshirën, pasionin, krenarinë dhe shpresën e miliona shqiptarëve nëpër botë.

Maratonën e nëntorit e nis kombëtarja shqiptare, e cila më 13 nëntor do të ketë punë me Andorrën si mysafire.

Shqipëria, e drejtuar nga Sylvinho, udhëton nesër drejt Andorrës, për t’i bërë përgatitjet finale, para ndeshjes së madhe në “Estadi de la FAF”. Me tri pikë të arkëtuara aty, dhe një humbje të Serbisë ndaj Anglisë, shqiptarët e sigurojnë play-offin, një xhiro para përmbylljes së kualifikimeve.

Shqipëria është e dyta në grupin K momentalisht, me 11 pikë të tubuara në gjashtë ndeshje. Anglia është e para me 18 pikë, teksa Serbia është e treta me dhjetë pikë.

“Kuqezinjtë” të enjten e zhvillojnë ndeshjen e shtatë ndaj Andorrës në histori. Në ndeshjen e parë mes këtyre dy kombëtareve, e luajtur në mars të këtij viti në “Air Albania”, Shqipëria fitonte 3-0, me dy golat e Rey Manajt dhe një të Myrto Uzunit.

Në përgjithësi, Shqipëria ka pesë fitore ndaj Andorrës, me këtë të fundit që ka vetëm një, teksa edhe një ndeshje tjetër është mbyllur me barazim.

Ndeshjen e fundit, Shqipëria e zhvillon ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”.

Ndërkohë, Kosova gjendet në një pozitë më të mirë. Megjithatë, te grupi i Kosovës ka hapësirë po ashtu edhe për të shkuar gjërat keq, mirëpo kjo “larg qoftë”…

Kombëtarja dardane i shkon Sllovenisë të shtunën më 15 nëntor.

Kosova hyn në këtë ndeshje si e dyta në grup me shtatë pikë pas katër ndeshjeve. Së fundmi, “Dardanët” morën një fitore të madhe ndaj Suedisë, me golin e shënuar nga Fisnik Asllani.

Kosovës i konvenojnë dy rezultate nga kjo ndeshje. Më idealja do të kishte qenë që të besuarit e Franco Fodës të dalin me fitore, mirëpo në rastin më të keq, edhe barazimi kryen punë.

Ekziston një mundësi – nga shumëkush mund të quhet edhe mrekulli – që Kosova të përfundojë në pozitën e parë në Grupin B.

Në rast së Kosova fiton në Slloveni dhe njëkohësisht Zvicra barazon/humbë me Suedinë, atëherë më 18 nëntor në Prishtinë, do të kishim një “mini-finale” mes Kosovës dhe Zvicrës.

Në rastin më të keq, atë të ëndrrave më të këqija, Kosova mund të përfundonte e treta në grup. Në rast se i humb dy ndeshjet dhe Sllovenia i fiton po ashtu të dy ndeshjet, atëherë “Dardanët” do të përfundonin në vendin e tretë.

Pavarësisht se çka ndodh në fund, kjo është kampanja më e suksesshme e Kosovës në kualifikimet për Botëror.

Kjo ishte hera e tretë që mori pjesë në këto kualifikime. Në herën e parë, Kosova mori pjesë në kualiifkimet e Botërorit të vitit 2018. Pas barazimit ndaj Finlandës në ndeshjen e parë, Kosova më pas pësonte nëntë humbje radhazi, në një grup me Islandën, Kroacinë, Turqinë, Ukrainën. Kosova kishte vetëm një pikë nga dhjetë ndeshje.

Hera e dytë ishte për Kampionatin Botëror të vitit 2022. Kosova përsëri përfundonte e fundit në grup. Kësaj here kishte punë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. “Dardanët” në fund morën vetëm pesë pikë nga tetë ndeshje të zhvilluara.

Ndërkohë, duke mos llogaritur këto kualifikime, Shqipëria ka tentuar 13 herë të futet në Kupën e Botës, por pa sukses, ndonëse dy herë është kualifikuar në EURO.

Nga këto tentime, Shqipëria përfundoi e treta në grup në tri (1986, 2018 dhe 2022) raste. E katërta përfundoi katër herë (1966, 1974, 1982 dhe 1990). Vendin e pestë e zuri po ashtu katër herë (2002, 2006, 2010 dhe 2014). Në vendin e gjashtë përfundoi vetëm një herë (1998). Një herë përfundoi e shtata në grup (1994).

Momentalisht, siç kemi shkruajtur më lartë, Shqipëria është e dyta në grup. Për herë të parë mund të sigurojë një vend të play-offit.

Në përgjithësi, Shqipëria ka zhvilluar 120 ndeshje në kualifikimet e Botërorit, nga të cilat ka fituar 27 ndeshje, 16 ndeshje janë mbyllur barazim dhe ka pësuar 77 humbje. “Kuqezinjtë” kanë shënuar 90 gola, teksa kanë pranuar 203 të tillë.

Pas dy nëntoreve historikë, ky nëntor i këtij viti mund të jetë i treti – nëntori i ëndrrave të shqiptarëve në futboll. Kosova dhe Shqipëria nuk do të luajnë vetëm për një rezultat, do të luajnë për krenarinë e për pasionin e milionave tifozëve dhe për një histori të re që do të mbahet mend./GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here