Në Prizren vjet janë raportuar 14.5% më shumë raste të dhunës në familje se në vitin 2021

0
187

Numri i rasteve të dhunës në familje në vitin e shkuar në Komunën e Prizrenit është rritur për 14.5% në krahasim me vitin 2021. Pavarësisht interpretimeve të Policisë dhe institucioneve, për përfaqësuesit e komunitetit shtimi i këtyre rasteve megjithatë është shqetësues.

Numri i veprave penale të evidentuara në Komunën e Prizrenit gjatë vitit 2022, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021, ndërkohë që i vetmi tregues negativ për këtë periudhë raportuese është rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, zyrtarët policorë dhe autoritetet komunale kanë shprehur qëndrimin se shtimi i numrit të rasteve të dhunës në familje ndërlidhet edhe me denoncimin, si dhe besimin në institucione.

Kanë treguar se në vitin 2021 janë raportuar 170 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin e kaluar rreth 30 raste më shumë.

“Do të thotë të gjithë treguesit janë pozitivë përveçqë i kemi negative rastet e dhunës në familje, ku këtë vit kemi pasur 14.5% ngritje të numrit të dhunës në familje. Edhe gjatë këtij dymujori shihet një trend prapë i rritjes, por që ndërlidhet edhe me raportimin, pasi që më herët shumë raste janë heshtur ose nuk janë raportuar, tash ka edhe një rritje të raportimit”, ka theksuar Vebih Zekolli nga Policia e Kosovës.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka pohuar se denoncimet bëhen kur njerëzit kanë besim tek institucionet ligjzbatuese.

“Edhe në qoftë se trajtimet kanë qenë korrekte rritet besimi tek institucionet, te Policia dhe të gjitha të tjerat që i bie në mënyrë indirekte një kompliment për punën e kryer për të gjithë ata që janë marrë me këto raste. Edhe sa më shumë që kemi raste të raportuara, besoj që më pak do të kemi raste faktike, që ndodhin”, ka theksuar Totaj.

për anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje është shqetësues.

“Edhe nëse e marrim me pozitivitet qysh tha kryetari, ndoshta është rritur numri i raportimeve, jo dhuna, përsëri ngritja e numrit është alarmante”, ka deklaruar Zihnie Gurmani nga Këshilli i Prindërve.

Në këtë mbledhje, krahas shqyrtimit të gjendjes së sigurisë, është miratuar edhe Plani vjetor i Punës së KKSB-së për vitin 2023, sikurse që janë shprehur edhe disa rekomandime për organet përkatëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here