Në Prizren mbahet marshi në mbështetje të luftës kundër bullizmit

0
92

Në sheshin e Lidhjes sot është mbajtur marsh simbolik në mbështetje të luftës kundër bullizmit.

Psikologu Latif Hoxha, organizator i këtij marshi ka thënë se qëllimi i këtij marshi ishte rritja e ndërgjegjësimit për bullizmin dhe të fuqizojmë të rinjtë që të jenë aktiv në parandalimin e tij.

“Sot, ne u bashkuam në këtë marsh simbolik për të shprehur përkushtimin tonë në luftën kundër bullizmit. Si kryetar i Shoqatës Kosovare për Psikodiagnostikë dhe Psikoterapi, jam i nderuar që pashë kaq shumë të rinj, prindër, dhe përfaqësues të institucioneve që u angazhuan për të mbështetur këtë kauzë të rëndësishme.
Ky marsh është një nga komponentët e projektit “Luftimi i bullizmit dhe nxitja e reziliencës”, i sponzorizuar nga Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe mbështetur nga Drejtoria Komunale e Arsimit. Pjesë e këtij projekti janë gjithashtu ligjëratat me nxënës dhe mësimdhënës, informimi vetëdijësues përmes fletushkave, si dhe konkursi për vizatimin dhe filmin e shkurtër për të nxitur reziliencën tek nxënësit.
Qëllimi ynë sot ishte të rrisim ndërgjegjësimin për bullizmin dhe të fuqizojmë të rinjtë që të jenë aktivë në parandalimin e tij. E dimë se bullizmi është një fenomen që ndikon në jetën e shumë fëmijëve dhe të rinjve, duke shkaktuar pasoja të rënda emocionale dhe sociale.
Gjatë marshit, nxënësit e shkollave të mesme të ulëta të Prizrenit mbajtën vizatimet e tyre, të cilat shprehën mesazhe fuqizuese dhe sensibilizuese. Këto mesazhe janë një thirrje e fortë për të gjithë ne që të punojmë së bashku për të krijuar një ambient më të sigurt dhe mbështetës.
Dua të falenderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë ngjarje, përfaqësuesit e institucioneve, si dhe prindërit dhe qytetarët që na mbështetën. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të respektit dhe mirëkuptimit.
Shpresojmë se ky marsh do të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit për bullizmin dhe do të inkurajojë të rinjtë të marrin një rol aktiv në parandalimin e tij. Së bashku, ne mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
Faleminderit për angazhimin tuaj dhe për mbështetje në këtë kauzë kaq të rëndësishme. Bashkëkundër bullizmit – ndërtojmë të ardhmen me respekt dhe mbështetje!”, ka thënë Hoxha, i cili ishte organizatori i këtij marshi./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here