Shkollat në Komunën e Prizrenit aktualisht janë duke zhvilluar procesin mësimor me prani fizike, me përjashtim të disa klasave, që kanë kaluar në mësimin online pas konfirmimit se janë pozitivë me Covid.
Sipas udhëheqësve të Drejtorisë Komunale të Arsimit, deri më tani 92 nxënës kanë rezultuar të infektuar me koronavirus.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka bërë të ditur se në shkollën fillore të mesme të ulët “Hysni Rexhepi” pozitivë me Covid kanë rezultuar 3 mësimdhënës dhe 45 nxënës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Abdyl Frashëri” 14 nxënës, në gjimnazin “Gjon Buzuku” 1 mësimdhënës e 7 nxënës, e kështu me radhë.
“Nga data 17 deri më sot pasdite kemi të infektuar 10 mësimdhënës, 1 edukatore, 1 ndihmës kuzhinier në çerdhen ‘11 marsi’ dhe kemi 92 nxënës të infektuar”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, pjesa dërrmuese e nxënësve të infektuar janë konfirmuar nga ekipet mobile të kujdesit parësor shëndetësor që po i testojnë nxënësit në ambientet shkollore.
“Si drejtoreshë e Arsimit kam bërë një marrëveshje mirëkuptimi me drejtoreshën e Shëndetësisë dhe drejtorin e QKMF-së për të na mbështetur me teste rapide, me ekipe mobile në shkollat aty ku ka dyshime se nxënësit mund të jenë të infektuar”.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë 24 orëve të fundit, në Komunën e Prizrenit janë konfirmuar 139 raste të reja me koronavirus./Koha
SHIKO VIDEON:
https://video.gjirafa.com/ne-prizren-92-nxenes-e-10-mesimdhenes-pozitive-me-covid-19