Në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Festave të Nëntorit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, përvjetori i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari, një delegacion i përbërë nga gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministrisë së Mbrojtjes realizuan homazhe në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz.
Ky moment i shenjtë kishte për qëllim nderimin e sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë ngjarje, u theksua rëndësia e përpjekjeve dhe flijimeve të brezave të shkuar, të cilët luftuan dhe dhanë jetën për atdhe, duke kontribuar në realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Ky akt i kujtimit dhe respekti u shoqërua me reflektime mbi trashëgiminë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e komandantëve si Adem Jashari në formësimin e historisë së Kosovës.














































