Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës.
Njoftimi i Institutit vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë. Numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin europian, që përbën një rritje shqetësuese.
Po ashtu, raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.
“Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit”, thuhet në një njoftim të IKSHPK-së.
Instituti thotë se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje.
“Pandemia e COVID-19 ka çuar në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të sëmundjes në vende të ndryshme globalisht, gjë që ka rritur rrezikun e përhapjes së fruthit”.
IKSHPK thotë se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe ajo aplikohet në Kosovë që nga viti 1971.
IKSHPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë./Express/