Në Kosovë, Borrelli shihet i anshëm

0
228

Të paqëndrueshme janë kualifikuar deklaratat e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borell, se arrestimet në veri të vendit janë duke u bërë jashtëligjshëm. Zyrtarë qeveritarë e analistë kërkuan nga ai që të jetë i përgjegjshëm në deklarata dhe ta ushtrojë në mënyrë neutrale rolin që ka në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Zyrtarë të Qeverisë e analistë politikë i kanë vlerësuar si të paqëndrueshme e të njëanshme deklaratat e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, se janë të paligjshme arrestimet e serbëve që Policia e Kosovës po i kryen në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se çdo veprim i ndërmarrë nga Policia e Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin e në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Arrestimi i sulmuesve të KFOR-it, policisë, civilëve e gazetarëve, sipas Sveçlës, është bërë duke u bazuar në dëshmitë e bollshme që i kanë siguruar autoritetet kosovare. Kësisoj, ai u ka bërë ftesë ndërkombëtarëve që të jenë konsistentë në deklaratat e tyre duke përmendur se vetë Borrelli ka kërkuar me ngulm që përgjegjësit për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të arrestohen. Ai i ka kërkuar kryediplomatit të BE-së që ta luajë rolin e tij neutral si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë ftoj Borrellin që të adresojë drejt agresionin e Serbisë ndaj Kosovës. Të luaj rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me deklarata të përgjegjshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës, çfarëdo trimërimi të këtyre grupeve kriminale”, ka thënë Sveçla.

E analisti politik, Shkumbin Beqiri, thotë se me këtë lloj qasje Bashkimi Evropian nuk është duke treguar neutralitet në raport me Kosovën dhe Serbinë dhe se roli i tij në këtë proces ka nisur të zbehet.

“Që prej vitit të kaluar, nëse jo në të gjitha rastet, në shumicën prej tyre Bashkimi Evropian ka treguar njëanshmëri në çështjet që kanë të bëjnë mes Kosovës dhe Serbisë. Fakti që Borelli nuk arriti të organizonte, qoftë edhe një takim të vetëm pa u përballur mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë, dëshmon se dobësia e Bashkimit Evropian në këtë rast është tejet e theksuar”, ka thënë Beqiri.

Sipas Beqirit, aktualisht janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e kanë marrë në dorë situatën mes Kosovës e Serbisë, pavarësisht se formalisht kompetencat po i mban Brukseli zyrtar.

“Ndërmjetësuesin e vërtetë në këto bisedime mes Kosovës dhe Serbisë po e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Gabriel Escobar, kështu që Bashkimi Evropian në këtë rast është vetëm formalisht një lehtësues i bisedimeve, sepse tashmë po shihet pafuqia e tij për të vendosur një lloj rendi mes palëve”, ka deklaruar ai.

Borellit i është kundërpërgjigjur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke theksuar se të gjitha veprimet gjatë arrestimeve në veri janë bërë sipas ligjit. Ai ka thënë se është në mandatin e Policisë arrestimi i personave që cenojnë rendin ligjor e kushtetues kudo brenda Republikës së Kosovës.

“Asnjë arrestim i bërë nga Policia e Kosovës nuk është arbitrar, i jashtëligjshëm, por është i bazuar në ligj. Ne po arrestojmë persona që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, që kanë sulmuar gazetarët, kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, qytetarët tanë në atë pjesë, si shqiptarë po ashtu edhe serbë. Të gjithë ata që do të identifikohen do të ndiqen penalisht dhe do të dërgohen para ligjit”, ka theksuar ai.

Policia e Kosovës mëngjesin e së premtes ka arrestuar serbin Nenad Orloviq si të dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Të njëjtën ditë, në Mitrovicën Jugore marshoi FSK-ja, në një aktivitet rutinor, e për të cilin e ka informuar KFOR-in.

Borrelli theksoi se është i alarmuar nga të dyja veprimet.

Lidhur me sulmet në veri Policia ka arrestuar mes tjerash edhe Dushan Obrenoviqin, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiqin, Urosh Vukasinoviqin, Nemanja Vlashkoviqin, Millan Bozhoviqin dhe Sllagjan Trajkoviqin.

Pavarësisht deklarimeve ndërkombëtare, ministri i Brendshëm është shprehur se nuk do të bëhen kompromise me terroristët dhe se të gjithë përgjegjësit e trazirave do të vihen para organeve të drejtësisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here