Në Bruksel do të diskutohet edhe për Asociacionin, kjo është agjenda e takimeve

0
156

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, do të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është takimi i parë i nivelit të lartë, pas atij në Ohër ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, transmeton Gazeta Metro.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka njoftuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe emisari europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Tutje, thuhet se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

”Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovës.”

”Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.

Pas takimit, në konferencë për media pritet të deklarohet shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

Ndryshe, të hënën në mbrëmje kryeministri Albin Kurti njoftoi se ka mbërritur në Bruksel. Ai tha se përgatitja për negociata ka qenë komplekse dhe e thjeshtë.

”Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin e së martës. Përgatitja për negociata është komplekse por edhe e lehtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e lehtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, një ditë para takimit në Bruksel, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.

Këshilltari amerikan në një postim në llogarinë e tij në Twitter, bëri të ditur se është biseduar për themelimin e Asociacionit dhe partneritetin e fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

Po ashtu të dy kanë diskutuar edhe për takimin e 2 majit në Bruksel.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”,  shkroi Chollet.

Ndërsa Kurti theksoi rëndësinë që Marrëveshja themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.

“Pata një telefonatë të mirë me Derek Chollet sot, ku diskutuam agjendën e takimit të së martës… Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh Kurti.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë ditë më parë se nuk do të lejojë krijimin e “Republikës serbe” në Kosovë./Metro

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here