Kanë kaluar më shumë se 24 orë që kur Farahanaz, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj, ka ngrënë një “vakt si ka hije”.
“Si të rritur, ne mund t’ia dalim, por kur fëmijët kërkojnë ushqim, nuk di çfarë t’u them”, tha për Al Jazeera ish-prezantuesja e radios 24-vjeçare nga Afganistani verior.
Kur familja mund të hajë, shpesh ka vetëm bukë dhe ndonjëherë perime, shoqëruar me çaj jeshil. Ndonjëherë ka edhe sheqer për të hedhur në çaj, i cili është një luks i rrallë këto ditë, meqë ata luftojnë për të mbijetuar, sepse Farahanaz, e cila ishte e vetmja në familjen me tetë anëtarë që ishte e punësuar dhe humbi punën e saj pas pushtimit nga talebanët në Afganistan, gushtin e kaluar.
“Motra ime më e vogël po shërohej nga një operacion kur talebanët morën kontrollin dhe jeta jonë u përmbys. Ajo ka humbur shumë peshë dhe shpesh sëmuret kur nuk ka mjaftueshëm për të ngrënë”, tha Farhanaz.
Familja e Farhanaz është në mesin e 23 milionë afganëve që përballen me uri, në atë që është bërë në një krizë urie të “përmasave të pashembullta”, sipas Dr Ramiz Alakbarov, zëvendës përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, shkruan Al Jazeera, transmeton Gazeta Express.
“Në Afganistan, 95 për qind e popullsisë nuk ha mjaftueshëm ushqim. Është një shifër kaq e lartë sa është pothuajse e paimagjinueshme”, tha Alakbarov në një deklaratë të lëshuar në fillim të marsit, duke shtuar se pothuajse 100 për qind e familjeve të udhëhequra nga gratë po përjetonin uri.
Pretendimi shqetësues i Alakbarov reflektohet në situatën e Farhanaz.
“Në ditët më të mira, isha prezantuese në radio dhe punoja edhe si mësuese me kohë të pjesshme. Bashkë me vëllain tim, që punonte në forcat afgane të sigurisë, mundëm të ushqenim dhe të kujdeseshim për tetë anëtarë të familjes sonë. Madje, financova edhe arsimin tim në universitet”, tha ajo.
Ajo tregoi edhe për shqetësimin që njerëzit po detyrohen t’i shesin vajzat dhe foshnjet e tyre.
“Është i dukshëm depresioni në mesin e milionë afganëve, njerëzit po shesin foshnjet dhe vajzat e reja për të mbijetuar. Dhe prapë afganët po humbin jetën e tyre”.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetit Publik këtë muaj, afër 13,700 foshnje dhe 26 nëna kanë vdekur në vitin 2022 për shkak të mungesës së ushqimit.