Qendra e Menaxhimit Kufitar e Kosovës ka njoftuar se transportuesit nga Maqedonia e Veriut do të organizojnë një protestë sot nga ora 12:00, e cila mund të shkaktojë vonesa dhe kolona të gjata kamionësh në kufirin me Kosovën.
Protesta do të mbahet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Kosovë priten vështirësi në kalimin kufitar.
Po ashtu, nga sot do të ndërpritet qarkullimi i kamionëve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë për shkak të protestave të shoferëve, të cilat mund të zgjasin deri në shtatë ditë.
“Protesta do të mbahet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në territorin e Republikës së Kosovës mund të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.













































