Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka shpallur kandidaturën e tij që të jetë emisar i Bashkimit Evropian (BE) në dialogun Kosovë-Serbi.
Pahor të dielën ka deklaruar se duhet bërë diçka që dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja të aktivizohet, pasi sipas tij ka ngecur.
“Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai gjatë një interviste për RTV Slovenia.
Edhe pse kanë mbetur katër muaj nga mbarimi i mandatit të Lajçakut në gusht, bilanci i rezultateve që ai ka arritur është vënë tashmë në peshore dhe pritshmëritë për një rrjedhë të re dialogu, në momentin kur Kosova ndodhet në nivelin më të ulët diplomatik, janë të mëdha. Ndryshe nga Sllovakia e Mirosllav Lajçakut, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Sllovenia e Pahorit e ka mbështetur fort atë dhe ka lobuar për forcimin e pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare diplomatike.
Për shumë analistë dhe njohës të mirë të diplomacisë, fytyra e re e mundshme e udhëheqjes së dialogut Kosovë-Serbi është e motivuar nga kalkulimet politike. Duke e njohur ngushtë konfliktin rajonal, si një figurë politike dhe diplomatike që është ngritur dhe ndërtuar në realitetin e hapësirës ballkanike të ish-Jugosllavisë, ata konsiderojnë se Pahor është më i mirë se shumica dërmuese e kandidaturave që mund të vijnë në rend.
Megjithatë, për shumë prej tyre, Serbia nuk do të jetë fort e hapur ndaj kësaj kandidature. Jo prej faktit se Pahor ka ndonjë histori anti-serbe por sepse Serbia nuk e konsideron Slloveninë mike, madje as vend asnjëanës.
Pretendimi i Serbisë, thonë ata, do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”, gjë që do e bëjë atë një ndërmjetësues jolegjitim nga shteti serb.
Peshë mund të luajë edhe fakti që Pahor nuk mund të ketë harruar se fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë pati nisur pikërisht me sulmin që forcat ushtarake serbe ndërmorën, kundër shtetit të tij Sllovenisë.
Pavarësisht se është kujdesur të jetë i ftohtë në gjykimet e tij mbi konfliktin Kosovë-Serbi, Pahor nuk e ka gjetur veten jashtë kësaj çështjeje.
Tri vite më parë, pati polemika të shumta për një ‘non-paper’ që thuhet se doli nga zyra e tij dhe që mbështeste idenë e një ndarje të kufijve në Ballkan mbi baza etnike. Por edhe pse ai i shoi kategorikisht zërat dhe përsëriti me bindje qëndrimin e tij se nëse bëhet ndonjë ndryshim i kufijve në Ballkan lufta do të ishte pasoja e vetme, ky ‘non-paper’ nuk kaloi pa kritika.
“Jam kundër ideve që paraqiten në dokumente të tilla dhe jam shumë më afër i mendimit që të bëhet zgjerimi i BE-së dhe me këta kufij që ekzistojnë. Edhe nëse dikush në mënyrë naive mendon dhe fillon të bisedojë për kufijtë në këtë rajon e di se nuk do të përfundojë në mënyrë paqësore, pasi kemi përvojën nga ky rajon lidhur me ndryshimin e kufijve. E refuzoj plotësisht idenë e këtij ‘non-paperi’”, tha ai atëbotë ndërsa i ka mëshuar disa herë idesë se Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.
“E vërteta është se zgjidhjen duhet ta gjejnë udhëheqësit e të dyja vendeve. Si mik i dy kombeve – shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dëshiroj që të gjendet një vullnet politik për vazhdimin e këtyre negociatave të vështira dhe në fund shpresoj që të gjejnë vendimin i cili do të jetë kompromis i mirë për të dyja palët dhe kuptohet edhe për Bashkimin Evropian”, deklaroi ai ndërsa shtoi se Kosova ka edhe disa kushte për të plotësuar.
Pika kryesore për të cilën ai ka insistuar është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndjekur nga respektimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi.
Në arenën ndërkombëtare ai konsiderohet si një ndër politikanët më të mirë të karrierës dhe mbështetja për të këto ditë është afirmuar.
Shpërbërja e Jugosllavisë ndodhi si rezultat i trazirave dhe konflikteve politike gjatë fillimit të viteve 1980. Pas një periudhe krize politike në vitet 1980, republikat përbërëse të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u ndanë, por çështjet e pazgjidhura shkaktuan luftëra të hidhura ndëretnike jugosllave. Luftërat prekën Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.