Një rast i tentim kontrabandës me duhan është regjistruar nga Dogana në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, të hënën.
Në njoftimin e Doganës thuhet se i dyshuar ishte një person që po voziste një automjet me targa të Republikës së Shqipërisë.
“Gjatë kontrolleve rutinore zyrtarët e Doganës kanë ndaluar dhe për kontroll rutinor një automjet me targa të Republikës së Shqipërisë, pas pyetjes së zyrtarit doganor në lidhje me deklarimin e mundshëm, drejtuesi i automjetit është përgjigjur negativisht. Më pas, ai është selektuar për një kontroll më të thelluar nën asistimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Më tej bëhet e ditur se brenda automjetit është gjetur duhan i papërpunuar me peshë prej 145.00 kilogramë.
“Kontrolli ka zbuluar mall të padeklaruar, respektivisht duhan i papërpunuar me një peshë prej 145.00 Kg, i ndarë në 290 paketa, çdo paketë me peshë 0.50 Kg. Si rezultat, është konstatuar kundërvajtje Doganore për shkelje të nenit 250 të KDAK-ës. Mallrat janë konfiskuar derisa procedura kundërvajtëse ka filluar për personin përgjegjës”, thuhet në njoftim.