Ka ndërruar jetë aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Zef Deda. Legjenda e humorit të Shkodrës, ka mbyllur sytë në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh.
Deda ishte një prej komedianëve më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.
Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Deda ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës.
Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arriti të realizonte qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran. Pas një shkeputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me shumë sukses.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën dhe prej martesës së tyre lindën dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interprertuar edhe shumë komedi.