Nata që mund t’i shkatërrojë karrierën, Bissouma i Tottenhamit shihet duke thithur gaz në Londër!

0
92

Yves Bissouma rrezikon dënim të rëndë nga Tottenham pasi është publikuar një video e re ku mesfushori shihet duke thithur oksid azoti (“laughing gas”) gjatë një feste në Londër.

Sipas raportimeve, pamjet janë filmuar në orët e para të 3 nëntorit dhe janë dërguar nga një grua që ishte ftuar në festë.

Tottenham ka konfirmuar se ka nisur menjëherë një hetim të brendshëm, ndërsa 29-vjeçari ka hequr çdo referencë për klubin nga Instagram-i, duke shtuar spekulimet për një ndarje të mundshme.

Bissouma ishte pezulluar edhe vitin e kaluar për të njëjtën sjellje, pasi vetë ai kishte publikuar video duke thithur gazin e njohur si “hippy crack”.

Mesfushori atëherë kërkoi falje për “mungesë të rëndë gjykimi”, por rasti i ri pritet të sjellë masa disiplinore më të ashpra.

Përdorimi i oksidit të azotit lidhet me rreziqe serioze për shëndetin, ndërsa furnizimi i tij është i paligjshëm sipas ligjeve të reja, me dënime që shkojnë deri në 14 vite burg.

Bissouma, i transferuar te Spurs për 30 milionë funte nga Brighton në vitin 2022, ka pasur probleme me lëndime dhe nuk ka startuar asnjë ndeshje këtë sezon. Ai u la jashtë edhe për shkak të vonesave të përsëritura, ndërsa u dëmtua sërish gjatë paraqitjes me Malin në tetor.

Tottenham e kishte dërguar në Qendrën Mjekësore të FIFA-s në Katar për rehabilitim, me pritje që të rikthehej së shpejti në fushë dhe të udhëtonte me Malin për Kupën e Afrikës.

Ndërkohë, publikimi i videos së re ka rikthyer presionin ndaj tij dhe ka vënë në dyshim të ardhmen e tij te Spurs. /GazetaExpress

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here