Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është deklaruar edhe një herë për çështjen e subvencionimit të teksteve shkollore.
Ajo ka thënë se deri tash në e-Kosova kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër.
“Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nagavci tutje ka thënë se “sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve”.
“Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.
Ajo tutje ka njoftuar se ka kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave të saj, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale.
“Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit”.
“Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”.
“Çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente”.