Nagavci mbrëmë tentoi t’i ul tensionet: S’jemi të interesuar për betejë politike me Vjosa Osmanin

0
75

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia në pushtet nuk është e interesuar për një betejë politike me presidenten aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani.

Nagavci ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për president dhe se është e gatshme që të ofrojë edhe 33 nënshkrime për ta mbështetur kandidaturën e Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se nuk ka gënjyer se Vetëvendosje i ka ofruar nënshkrimet për Osmanin.

 “Ne nuk jemi të interesuar për betejë politike me zonjën Osmani. Jemi të interesuar ta zgjedhim presidentin e vendit e të vazhdojmë tutje. Kemi qeverinë pas më tepër se një viti. Kemi shumë punë e projekte përpara. Kemi për të përmbushur premtime që u kemi dhënë qytetarëve…Jemi tejet të interesuar të kemi presidentin e zgjedhur e të vazhdojmë tutje. Betejat politike synojmë t’i zhvillojmë pas përfundimit të mandatit të Qeverisë Kurti. Atëherë znj. Osmani nëse pëlqen të zgjedhë të vazhdojë bashkëpunimin me ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë”, ka thënë Nagavci në “Interaktiv” të KTV-së.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje ka propozuar Konjufcën pasi beson se ka përkrahjen më të madhe në mesin e deputetëve. Nagavci ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët në koalicion ka në total 66 vota dhe me këtë nuk mund t’i garantojë asnjërit për ta bërë president, pasi nuk i ka 80 vota sa duhen.

Nagavci ka thënë se ka ardhur deri te propozimi i Konjufcës pasi nga PDK-ja dhe LDK-ja nuk pati ndonjë emër të propozuar.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme t’i përkrahë me nënshkrime edhe kandidaturat e propozuara nga PDK-ja dhe LDK-ja, në rast se propozohen.

Nagavci ka thënë se PDK-ja ka kërkuar që ta marrë mbështetjen me vota për një president që e propozon ajo, por nuk ka ofruar asnjë emër.

“Kjo tregon se PDK-ja dëshiron zgjedhje”, tha Nagavci.

E për LDK-në ajo tha se duke marrë parasysh se ka 15 vota dhe duke parë deklarata publike të 3-4 deputetëve të kësaj partie, është kumtuar se nuk mund të garantohej mbështetje e plotë nga kjo parti.

“Ata thanë disa herë se janë të gatshëm për marrëveshje politike, por se kanë përmendur asnjë lloj marrëveshje”, tha Nagavci.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here