Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e ka pranuar që do të duhej që prindërit të njoftoheshin më herët për çështjen e teksteve shkollore.
Por, ka thënë se vendimi nuk ka qenë i pamenduar dhe panalizuar.
“Vendimi nuk ka qenë i pamenduar, i paanalizuar dhe është marrë në një moment që është konsideruar si i domosdoshëm. Doja të përmend ndonëse ka ngjallë debat, është një nga disa veprime që kemi marrë në raport me përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore. Do të ishte më mirë që prindërit të ishin njoftuar më herët”, ka thënë Nagavci, duke u arsyetuar se edhe në vitet e kaluara ka pasur mungesë të teksteve të caktuara”, ka thënë Nagavci, gjatë një interviste në KTV.
Sipas saj, gjatë viteve të kaluara ka pasur abuzime me shpërndarjen e teksteve shkollore.
“Në vitet e kaluara është abuzuar me shpërndarjen e librave. Këto dy vjet qeverisje, kemi parë edhe raste të ndryshme të gabimeve dhe të abuzimeve. Nuk mund të përgjithësojë të gjitha rastet. Ka qenë shpërndarja e një pakoje për fëmijët para-fillor. Vlera e pakos ka qenë 19.20 euro, i ka kushtuar buxhetit 500 mijë euro në vit. Dhe ka pasur raportime se këto pako nuk janë përdorur fare. Po i referohem një emaili të vitit 2020. Këto pako nuk i kemi shpërndarë në dy vjetët e qeverisë sonë”, ka thënë Nagavci.
Çështja e teksteve shkollore ka ngjallur debat në Kosovë, opozita po e kritikon ekzekutivin se “janë treguar të papërgjegjshëm me vendimin që blerjen e librave t’ia bartin prindrëve”.