Pavarësisht se çmimi i naftës ka rënë drastikisht në Kosovë dhe se një litër naftë sot është shitur me 1.24 euro, kjo nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore. Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit të matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1%. Ekspertë vlerësojnë se ulja e çmimeve të naftës do të duhej të ndikonte në ulje të çmimeve për produkte.
Ndërsa ministri i Financave Hekruran Murati , ka fajësuar opozitën dhe deputetët, që sipas tij po pengojnë në çdo hap që po ndërmerr Qeveria, duke thënë se ligji për vendosjen e çmimit tavan do të ndalonte abuzimin e brendshëm që po bëjnë tregtarët me çmimet e produkteve ushqimore.
“Është edhe ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Ne vazhdimisht i kemi dëgjuar subjektet opozitare , deputetet, që ankohen se si çmimet e ushqimit janë rritur, por kur Qeveria ndërmerr një hap që të vë në kontroll ato çmime të parandaloj abuzimet që bëjnë tregtarët, sepse çmimin e importit nuk mund ta kontrollojmë. Sepse është inflacion në nivel global por së paku abuzimet e brendshme ti ndalojmë, i shohim partitë opozitare që shkojnë e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese ligjin. Çdo reformë, nismë e Qeverisë që po bëhet qoftë për të përmirësuar administratën publike, apo për ta lehtësua jetën e qytetarëve, ose për të luftuar korrupsionin, opozita po bënë çmos ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese. E cila pastaj merr kohë të gjatë sikurse ligjet tjera. Në vazhdimësi po na vështirësojnë punën në reformat që po i ndërmarrim”, tha Murati.
Ndërsa Ujkan Bajra, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë për “IndeksOnline” se karburantet dhe nënproduktet e tij janë produkte bazë në kryerjen e aktivitetet të përditshme të qytetarëve dhe bizneseve.
“Rritja apo ulja e çmimit të këtij produkti ka natyrshëm një efekt zinxhir në industri të tjera prodhuese, bujqësore, minerare etj. Ulja e çmimit të naftës mund të ndikojë në uljen e normës së inflacionit, pasi është produkti që në shportën totale (nëngrupet e COICOP-it) zë pothuajse pjesën më të madhe të rritjes të inflacionit (mbi 26%) i shprehur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP). Tani, ka një tendencë të lehtë për uljen e çmimeve të karburanteve, por nuk ka pasur një ndikim të tillë në uljen e çmimeve të produkteve të tjera, pasi mungesa e fuqisë punëtore po sjell vështirësi të tjera shtesë krahas konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, siç kemi thënë, derisa prodhimi të kthehet në nivelet para pandemisë, çmimet nuk kanë tendencë të bien. E vetmja gjë që pritet në muajt në vijim është stabilizimi i çmimeve, megjithëse mund të ketë ulje të lehta të çmimeve në produkte të caktuara, por jo në ato të konsumit ditor. Dhe këtë e vërejmë çdo ditë si konsumator final”, tha Bajra./Indeksonline/