Lëvizja Vetëvendosje dje ka publikuar sërish një video duke përshkruar punën e Qeverisë Kurti gjatë këtyre dy viteve në pushtet.
Videon që nxiti reagime të shumta e ka komentuar edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, i cili ishte sërish protagonist i videos.
Ai në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se Lëvizjes Vetëvendosje i duhen edhe 20 vjet për t’iu ofruar performancës që kishte qeveria e udhëhequr nga ai.
“Qeverisë së VV-së i nevojiten së paku 20 vjet për t’iu ofruar performancës që kishte qeveria ime. Një anëtar i qeverisë time ka pasur më shumë dije, ekspertizë por edhe ndjenjë të përgjegjësisë ndaj vendit sesa krejt qeveria Kurti, prej të parit deri te i fundit. Kjo qeveri dhe këto institucione janë një konsumim i kotë i votës së qytetarëve-pa vlerë”, ka deklaruar Mustafa.
Kujtojmë se video e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje ka nxitur edhe reagime nga opozita aktuale në vend.