Senatori amerikan Chris Murphy i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për shtensionimin e situatës në komunat në veri përmes organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, Senatori Murphy thekson se një sërë masash si, mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, tërheqja e njësive speciale dhe lirimi i të arrestuarve, do të çojnë në uljen e tensioneve.
Ai gjithashtu theksoi se Serbia duhet t’i inkurajojë banorët serbë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor.
“Nëse hyjmë në rrugën e shtensionimit, duke tërhequr njësitë speciale të policisë dhe duke organizuar zgjedhjeve të reja, mendoj që kemi një mundësi që gradualisht ta kthejmë dialogun në drejtimin e duhur,” deklaroi zoti Murphy.
Shtetet e Bashkuara, krahas shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, kanë shtuar kërkesat e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar gjendjen në tre komunat veriore të Kosovës, që së fundi u shndërruan në arenë përplasjesh mes forcave policore të Kosovës, protestuesve serbë dhe forcave paqëruajtëse të NATO-s. Situata në veri u përshkallëzua pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin prill, të cilat u bojkotuan nga serbët. Kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, të kundërshtuar nga serbët, morën detyrën me mbështetjen e policisë.
Senatori Murphy theksoi se do të preferonte që SHBA-të të merrnin një rol më aktiv në shtensionimin e situatës në rajon.
“Dua që ta konfirmojmë sa më parë ndihmës-sekretarin e ri për Evropën, (James O’Brien) pjesërisht për shkak se i emëruari i Presidentit Biden për këtë pozitë ka një përvojë të gjatë në rajon. Shumë shpejt do të kemi një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të konfirmuar që e njeh Kosovën, e njeh Serbinë, e njeh rajonin dhe do të mund të mbështes përpjekjet e ambasadës tonë si dhe punën që po bën zoti Escobar. Kemi një mundësi reale që SHBA-të të shtojnë angazhimin pasi i emëruari i ri i Presidentit Biden është emër i njohur dhe me përvojë në rajon.”
Senatori Murphy u pyet edhe për vendimin e SHBA-ve për të sanksionuar shefin e zbulimit të Serbisë Aleksandar Vulin, zyrtar pro-rus i Serbisë, i afërt me Presidentin serb Vuçiç.
“Nëse Serbia me të vërtetë e do një të ardhme si pjesë e Evropës, nuk mund ta ketë shefin e zbulimit të angazhuar në koordinim të hapur me rusët në këtë kohë. Dhe ua kemi bërë të qartë jo vetëm Serbisë, por të gjithë miqëve tanë, se do të ketë pasoja nëse vendosin të mos ju bashkohen sanksioneve, nëse janë pjesë e aktiviteteve sekrete me rusët. Ne duam që Serbia të jetë pjesë e lëvizjes euro-atlantike, duam që ata të kenë të ardhme europiane”, tha ai.
Zoti Murphy tha se është në interesin e Serbisë që të dërgojë mesazhin se agresioni rus në Ukrainë nuk mund të tolerohet.
Por një ish-ligjvenës amerikan, ish kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, shpreh kritika ndaj qëndrimit të Departamemtit të Shtetit për mënyrën se si po i qaset tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës.
Në një artikull-opinion të botuar në revistën ‘Foreign Policy’ të martën, zoti Engel shkruan se “Shtetet e Bashkuara po e ledhatojnë Vuçiçin, një gjysmë-autokrat bullist dhe se në rrugë e sipër, po mbajnë vetë një qëndrim disi bullist ndaj Kosovës, duke i bërë presion vendit më të vogël dhe më të dobët”.
“Ky qëndrim nuk u bën nder Shteteve të Bashkuara dhe ka ardhur koha të ndryshojë”, shprehet ish ligjvenësi Engel. /VOA