Muriqi sfidon yjet e Barcelonës këtë të shtunë

0
80

Vedat Muriqi me Mallorcan do të jenë mysafirë të Barcelonës në kuadër të xhiros së 23-të të La Ligës. Ndeshja ndërmjet dy skuadrave luhet të shtunën nga ora 16:15.

Barcelona udhëheq tabelën me 55 pikë, vetëm një më shumë se Real Madridi, i cili ndodhet në vendin e dytë. Barça vjen në këtë takim pas një serie prej pesë fitoreve në të gjitha garat. Gjiganti katalunjas të martën siguroi vendin në gjysmëfinale të Kupës së Spanjës, duke eliminuar skuadrën e kategorisë së dytë, Albacete.

Në edicionin aktual të elitës spanjolle, Barcelona ka regjistruar 18 fitore, një barazim dhe tri humbje.

Mallorca e Muriqit po lufton për mbetje në elitë, duke zënë vendin e 14-të me 24 pikë. Në pesë ndeshjet e fundit ka shënuar dy fitore dhe ka pësuar tri humbje. Pavarësisht rezultateve të dobëta të skuadrës, Muriqi po kalon një formë shumë të mirë.

Sulmuesi nga Prizreni është golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga me 15 gola, pas Kylian Mbappe që kryeson me 22 gola. Ferran Torres i Barcelonës ndodhet në vendin e tretë me 12 gola.

31-vjeçari Muriqi ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim në gjashtë përballje ndaj Barcelonës.

Në një tjetër ndeshje të rëndësishme, Real Madrid luan të dielën nga ora 21:00 në udhëtim te Valencia, e cila ndodhet në vendin e 16-të me 23 pikë. “Los Blancos” vijnë pas gjashtë fitoreve radhazi në kampionat.

Po të dielën zhvillohet edhe përballja ndërmjet Atletico Madrid dhe Real Betisit nga ora 18:30. Atletico renditet në vendin e tretë me 45 pikë, ndërsa Betisi është në vendin e pestë me 35 pikë, dhjetë më pak se madrilenët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here