Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati në seancën e sotme të Kuvendit është përplasur me deputetët e opozitës sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti si dhe masave të Qeverisë karshi krizës së çmimeve.
Ministri Murati ka thënë se studentët, familjet me asistencë sociale e pensionistët kanë zero para në Trust, prandaj miratimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti s’ju ndihmon këtyre familjeve.
“Sa kanë trust familjet në asistencë sociale, zero, sa kanë trust studentët zero, sa kanë trust pensionistët zero, sa kanë trust ata që paguhen me pagë minimale, mundem me i pasë 100 euro, që 30% i bie 30 euro me këto masa po doni me i ndihmu këto familje”, tha Murati në fjalën e tij.
Po ashtu, i pari i ministrisë së Financave ka kritikuar opozitën se nuk e kanë përkrahur marrëveshjen me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale.
“Në krizë inflacionare të tillë cka duhet të bëhet është që t’i mbështesë ata që kanë nevojë më së shumti, e që janë rastet sociale, qeveria për tërë vitin kemi rritë buxhetin për mbështetje ndaj këtyre familjeve dhe kemi dizajnuar skemën që familjet që kanë më shumë fëmijë të përfitojnë më shumë.
Ne kemi sjellë marrëveshjen me Bankën Botërore që zgjeron skemën sociale, por ju s’po e votoni”, tha ai.