Ministri i i Ekonomisë, Hekuran Murati, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë folur për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike.
Ministri Murati, ka folur për “vështirësitë” e furnizimit me energji elektrike në vend. Ai, ndër të tjera, theksoi se gjatë dy vjetëve të fundit vendi është përballur me një krizë energjetike duke e përmendur edhe luftën në Ukrainë.
“Kjo ka ndikuar të marrim hapa konkret në aspektin e rritjes së efiçiencës, të gjenerimit shtesë, por edhe të kursimit të energjisë”, ka thënë ministri Murati. Ai shtoi se një nga këto masa ka qenë edhe ajo për subvencionimin e kursimit të energjisë, që ishte lansuar në muajin shtator fillimisht, siç tha ai, si pilotim e si testim. Sipas tij për 3 muaj të parë subvencionimi është financuar nga buxheti i shtetit e më pastaj është mbështetur në pako nga BE në vlerë prej 75 milionë euro, ku është paraparë, që muajt në vijim të mbulohen nga kjo pako.
“Kjo është pra përmbyllja e kësaj mase të subvencionimit e cila ka qenë për periudhën e sezonit dimëror të këtij viti. Do të ketë masa tjera mbështetëse nga kjo pako e BE-së, ku janë paraparë 25 milionë euro, mbështetje për familjet në nevojë”, deklaroi ministri Murati.
Ai, mes tjerash, bëri të ditur numrin e familjeve që kanë përfituar nga kjo pako e mbështetjes për kursimin e energjisë elektrike, që janë rreth 200 mijë familje, teksa shtoi se janë kursyer shumë KW orë energji elektrike, duke përmendur shumën e rreth 88 milionë eurosh që nuk janë importuar për shkak të kursimit të energjisë elektrike.