Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për çmimet tavan, duke thënë se ka qenë ky veprim i LDK-së që shumë produkte vazhdojnë të mbajnë çmim të lartë, përtej normales.
Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se shkalla e inflacionit ka shënuar rënie e se çmimet kanë nisur t’i kthehen normalitetit. Megjithatë, sipas tij, ka tregtarë që po vazhdojnë të aplikojnë marzha të larta fitimi.
“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Nafta tashmë është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera. Një litër vaj ushqimor tani mund të blihet edhe me 1.20 euro, kurse gruri ka prekur nivelin e para disa viteve me 0.22 euro/kg. Megjithatë, ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët”, ka shkruar Murati të shtunën në Facebook.
Ai ka thënë se kjo çështje “do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por ja që LDK e ka dërguar në Kushtetuese për ta bllokuar”.
“Me sa duket, për ta më e rëndësishme është rritja e fitimeve për tregtarët sesa mirëqenia e qytetarëve”, ka shkruar ai.
Ligji për përcaktim të çmimeve tavan, i propozuar nga pushteti, ishte dërguar në Kushtetuese nga LDK-ja që akuzonte për shkelje të Kushtetutës për ekonomi të lirë.