Murati: As vetë opozita nuk e besojnë që do të jenë në qeverisje pas 9 shkurtit

0
20

Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka kritikuar opozitën pasi dje nuk e kanë votuar Buxhetin 2025.

Ai ka vlerësuar se më këtë veprim partitë opozitare kanë treguar se nuk besojnë që do të fitojnë më 9 shkurt.

Murati në Facebook ka shkruar se po ta besonin një gjë të tillë do ta votonin këtë projektligj, ashtu siç ka bërë VV-ka në vitin 2020.

“Në seancën e djeshme për buxhetin, opozita e dëshmoi që as ata vetë nuk e besojnë, kur e thonë se do të vijnë në qeveri pas 9 shkurtit. Në fund të vitit 2020, kur Qeveria Hoti e përbërë nga opozita e sotme dhe e shpallur e paligjshme, kishte sjellë në Kuvend Ligjin e Buxhetit për vititn 2021, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pati vendosur ta votonte buxhetin e përgatitur nga qeveria në ikje. Kjo për arsye se ne ishim plotësisht të bindur që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, do të ishim ne ata që do të udhëheqnim me qeverinë, dhe ishim të interesuar që çështja e buxhetit të kryhej sa më shpejtë, e me sa më pak amandamente, ashtu që kur të vinim ne në qeveri, edhe rishikimi i buxhetit të ishte më i lehtë”, ka shkruar ai, duke i vazhduar kritikat ndaj tri partive opozitare.

“Tani, po ta besonte opozita aktuale njëmend se do të vijnë në pushtet, ashtu siç pretendojnë nëpër studio televizive, patjetër se dje do duhej që edhe ata ta votonin ligjin e buxhetit, njësoj sikurse e patëm bërë ne në vitin 2020. Por as vetë partitë opozitare nuk e besojnë që do të jenë në qeverisje pas 9 shkurtit, prandaj edhe ikën nga seanca dje, të painteresuar fare se çfarë buxheti po miratohej – sepse nuk do t’u vije rasti për ta menaxhuar”, ka shkruar Murati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here