Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka përmendur tri të “arritura” të qeverisë, duke mos lënë anash edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ndër të tjera, Muja e ka radhitur edhe forcimin e sovranitetit “të Republikës, me mbajtjen e zgjedhjeve”, duke shkruar në fund “Puna e mbarë, Albin Kurti”.
Gjatë kësaj të hëne, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtete anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Me këtë vendim, Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti hap historik dhe më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.
“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi ajo.
Gërvalla theksoi se mbetet ende shumë punë për të bërë, dhe se procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe me sfida.