Muçi gjen golin e parë me Besiktasin, shkëlqen Asllani, Manaj, Laçi e Tuci!

0
232

Futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet jashtë vendit kanë mbyllur një tjetër javë me paraqitje pozitive me klubet e tyre, duke lënë gjurmë edhe në kompeticionet Europiane.

Në Europa League, Qazim Laçi dhe Indrit Tuci ishin protagonistët kryesor në kualifikimin e Sparta Pargue ndaj Galatasaray.

Indrit Tuci u aktivizua në pjesën e dytë dhe fillimisht gjeti rrugën e rrjetës, e më pas asistoi në golin e tretë. Ndërsa Qazim Laçi dhuroi asistin në golin e katërt të shënuar në minutën e 90+6 nga Jan Kuchta.

Ernest Muçi gjeti golin e parë me skuadrën e tij të re Besiktas. Sulmuesi kuqezi zhvilloi një super ndeshje në fitoren 2-0 ndaj Istanbulspor, teksa realizoi golin e dytë dhe në fund u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 8.2 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Në kampionatin turk vijon të shkëlqejë Rey Manaj, i cili shënoi golin e radhës në takimin Sivasspor-Pendikspor. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e tretë në fitoren 4-1 të Sivasspor, teksa ky ishte goli i 14-të për Manajn në kampionat.

Edhe Mirlind Daku gjeti rrugën e rrjetës në sfidën miqësore të Rubin Kazan ndaj Rodina Moscow. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e vetëm në humbjen e skuadrës së tij 1-4.

Në Itali, Kristjan Asllani e nisi si titullar me Interin sfidën ndaj Leçes, ku nga minuta e parë ishte një tjetër futbollist kuqezi, Ylber Ramadani. Asllani bëri një paraqitje mjaft të mirë në fitoren e Interit 4-0, teksa asistoi në golin e parë të shënuar nga Lautaro Martinez.

Nedim Bajrami u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë në sfidën e Sassuolos ndaj Empolit. Bajrami ishte menjëherë protagonist teksa asistoi në golin e dytë të Sassuolos. Në fund triumfoi Empoli me rezultatin 3-2 ku titullar ishte mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli.

Edhe Keidi Bare zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në sfidën e Espanyol në transfertë ndaj Eibar. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, asistoi për golin e barazimit në minutën e 96-të, ndërsa Espanyol realizoi edhe një tjetër gol pas tre minutave duke marrë një fitore të rëndësishme. Keidi Bare ishte titullar përgjatë gjithë ndeshjes duke qenë një ndër më të mirët në këtë sfidë.

Tituallarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klaus Gjasula, Taulant Seferi, Arbnor Muçolli dhe Sokol Cikalleshi, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Frederic Veseli dhe Arbnor Muja./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here