Kandidati për Kuvendin e Komunës së Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Edon Muçaj, ka prezentuar prioritetet e tij në fushën e shëndetësisë, duke theksuar se do të angazhohet fuqishëm për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, nëse merr besimin e votuesve, shkruan 04 Online.
Muçaj tha se një ndër objektivat kryesore është sigurimi shëndetësor për fëmijët që regjistrohen për herë të parë në çerdhe, si dhe vizitat sistematike për fëmijët në çerdhe e shkollat fillore, por edhe për personat mbi 65 vjeç.
Ai paralajmëroi gjithashtu furnizimin e AMF-ve dhe QMF-ve me barna nga lista esenciale, rritjen e kapaciteteve për dhënien e infuzioneve, si dhe marrjen e mostrave për analiza në QMF-të e mëdha për të shmangur pritjet në QKMF.
Në mesin e zotimeve të tij për shëndetësinë janë edhe shërbimet logopedike, shërbimet farmaceutike me orar të rregulluar, rifunksionalizimi i AMF-ve të mbyllura dhe rritja e orarit të punës në disa QMF, si në Reçan e Gjonaj, me mundësi pune 24 orëshe.