Edon Muçaj, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Prizrenit, ka prezantuar planin e tij për përmirësimin e sigurisë publike në komunë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së shërbimit të zjarrëfikësve, shkruan 04 Online.
Në rast se fiton besimin e qytetarëve, Muçaj është zotuar për rifunksionalizimin e nënstacioneve të zjarrëfikësve në Gjonaj, Reçan dhe Zhur, rritjen e numrit të zjarrëfikësve në terren, blerjen e pajisjeve të reja dhe moderne për intervenime më efikase dhe vendosjen e hidranteve në pjesën e nënkalasë, ku automjetet e zjarrëfikësve nuk mund të depërtojnë.
Muçaj theksoi se siguria e qytetarëve është themel i një Prizreni të qëndrueshëm dhe modern, dhe se investimi në këtë sektor është domosdoshmëri për të ardhmen e komunës.