Rritja e temperaturave gjatë verës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e aktivitetit të gjarpërinjve, të cilët mund të shfaqen në hapësira të ndryshme, veçanërisht në zonat rurale, fusha, pyje, e madje edhe pranë shtëpive apo banesave. E, kjo situatë ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve, të cilët shpesh ndihen të pasigurt dhe të frikësuar për mundësinë e një kontakti të papritur me këto zvarranikë, sidomos gjatë lëvizjeve në natyrë apo në ambientet përreth shtëpisë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka siguruar një sasi të mjaftueshme serumi kundër helmimeve nga pickimi i gjarprit dhe ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë paraqitur kërkesë për furnizim.
“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasi të mjaftueshme të serumit kundër helmimeve nga kafshimi i gjarprit dhe IKSHPK ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë bërë kërkesë për furnizim. Gjithashtu, IKSHPK ka njoftuar të gjitha qendrat në nivel vendi dhe u ka bërë thirrje të përsëritur që të furnizohen me serum, duke qenë se ka sasi të mjaftueshme dhe të siguruara me kohë”, kanë thënë për Telegrafin në një përgjigje nga MSH.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë shtoi më tej se serumet janë siguruar edhe nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfshirë Klinikën Infektive, ndërsa ato janë në dispozicion edhe për repartet infektive të spitaleve të përgjithshme (rajonale).
Më herët, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë një njoftim të rëndësishëm rreth shfaqjes së gjarpërinjve në kohën kur temperaturat fillojnë të rriten, dhe si duhet pasur kujdes të shtuar në rast se e shihni ndonjë gjarpër.
Ku mund të shihni gjarpërinjtë?
– Në shkëmbinjë, shtigje malore dhe rrugë
– Fshehur në bar të gjatë, shkurre, grumbuj druri ose nën mbeturina
– Pranë burimeve të ujit ose pikave me hije gjatë vapës
Si t’i shmangni gjarëprinjtë:
– Mbathni këpucë të mbyllura dhe pantallona të gjata kur ecni në natyrë
– Përdorni një shkop për të shushuritur butësisht shkurret ose barin përpara jush
– Mos ngritni gurët ose trungjet pa kontrolluar më parë
– Shmangni ecjen nëpër bar të gjatë pa një shteg të dukshëm
– Mbani oborret dhe pronat të pastra – largoni grumbujt e drurit, mbeturinave dhe barërat e këqija
Nëse shihni një gjarpër
– MOS u përpiqni ta vrisni ose të afroheni shumë!
– Qëndroni të qetë dhe largohuni ngadalë
– Edukojini fëmijët të shmangin gjarpërinjtë dhe të njoftonjnë një të rritur nëse hasin në një gjarpër
Nëse kafshoheni nga një gjarpër (sidomos një nepërkë):
– Qëndroni të qetë – paniku rrit rrahjet e zemrës dhe përhap helmin më shpejt
– Imobilizoni gjymtyrën e kafshuar
– MOS thithni helmin dhe mos e preni plagën
– Telefononi menjëherë Shërbimet e Urgjencës (112) ose shkoni në spitalin më të afërt
– Nëse mundeni, kini parasysh pamjen e gjarprit (për trajtim), por mos rrezikoni sigurinë tuaj duke u përpjekur ta kapni ose fotografoni atë
Gjithashtu, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, madje nepërkat kafshojnë vetëm nëse kërcënohen. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistem – duke kontrolluar brejtësit dhe dëmtuesit. /Telegrafi/