Këtë javë vendi do të përfshihet nga kushte të qëndrueshme atmosferike me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të larta, sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), shkruan 04 Online.
Gjatë ditës së sotme, pritet mot me diell dhe vranësira të lehta e të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 7 dhe 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 25 deri në 29 gradë Celsius.
IHMK paralajmëron se indeksi i rrezeve ultraviolet (UV) do të jetë në nivel të lartë gjatë gjithë javës. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet që të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht në orët e mesditës – nga ora 10:00 deri në 17:00 – për të reduktuar rrezikun nga djegiet apo dëmtimet e mundshme të lëkurës.
Era do të fryjë e lehtë, nga drejtime të ndryshme, pa ndonjë ndikim të theksuar në kushtet e përgjithshme meteorologjike./04 Online