Sot vendi ynë do të dominohet nga mot kryesisht i vranët, i shoqëruar herë pas here me reshje shiu, të cilat në intervale të caktuara pritet të jenë në formë rrebeshi. Në disa zona, sidomos në Rrafshin e Kosovës, nuk përjashtohet mundësia e shkarkesave të rrufeshme, ndërsa në viset më të larta malore priten reshje bore.
Me depërtimin e masave më të ftohta ajrore, në orët e vona të mbrëmjes reshjet e shiut mund të shndërrohen në borë edhe në zonat më të ulëta, përkatësisht në pjesë të Rrafshit të Kosovës.
Ndikimi i pluhurit saharian do të bëjë që reshjet e shiut të jenë të përziera me baltë, ndërsa në zonat malore pritet fenomeni i njohur si “borë e kuqe”, kryesisht gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes, për t’u tërhequr më pas gradualisht drejt lindjes së kontinentit.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe lokalisht mund të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 17 deri në 51 km/h.
Temperaturat minimale do të sillen nga 5 deri në 7°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 9 deri në 13°C./04 Online














































