Mosdekretimi i Isufajt, KPK i reagon Presidentes: Po ndërhynë në punën tonë, arsyetimet të pabazuara dhe tendencioze

0
142

Këshilli Prokurorial i Kosovës është mbledhur sot pasi Presidentja Vjosa Osmani njoftoi sot vendimin e saj për mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Nga KPK kanë shprehur mospajtim të thellë me deklaratat e Presidentes, duke thene se jane “të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor”, derisa arsyetimet e saj për mosdekretimin e Isufajt, i kanë cilësuar “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”.

KPK thotë se deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Për deklaratat e Presidentes se ka pasur presione dhe kërcënime, Këshilli Prokurorial e ka ftuar Presidenten “që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht”.

“Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale.         

Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Osmani njoftoi sot se ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokur të vendit.

“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

Ajo tregoi se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.

Vlerësimi i saj, Osmani tha se është “brenda mandatit kushtetues” të saj si presidente, dhe se në të janë “evidentuar të gjitha shkeljet”, duke i përmendur disa prej tyre.

Reagimi i plotë:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media.

KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi  përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese.

Këshilli Prokurorial vlerësoi se, deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor. 

Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale.          

Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.     

Në përfundim të këtij takimi, u tha se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here