“Mos i nënshkruani kontratat e reja të punës” – SBASHK me apel ndaj mësimdhënësve parauniversitarë

0
127

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për zëvendësimin e kontratave të punës për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar në komunën e Vushtrrisë.

Përmes një komunikate për media, SBASHK ka njoftuar se versioni i kontratave të reja që po kërkohen të nënshkruhen është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, i cili është ende në fuqi dhe, sipas tyre, u garanton më pak të drejta mësimdhënësve.

“SBASHK apelon te mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar: Mos nënshkruani kontrata të reja të punës.
Ditët e fundit, në komunën e Vushtrrisë është rishfaqur kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, pavarësisht se mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar tashmë kanë kontrata pune me afat të pacaktuar. Versioni i Kontratës së re është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, që është në fuqi dhe ka më pak të drejta të precizuara, krahasuar me Kontratat që kanë punëtorët e Arsimit Parauniversitar,” thuhet në reagim.

SBASHK i ka drejtuar një thirrje publike komunës së Vushtrrisë që ta ndalë këtë praktikë, të cilën e konsideron të gabuar dhe si formë presioni ndaj stafit arsimor.

“SBASHK kërkon nga komuna e Vushtrrisë që menjëherë të ndalë këtë praktikë të gabuar dhe presionin ndaj mësimdhënësve, si dhe u bën thirrje të gjitha komunave tjera që të mos ndjekin këtë shembull të dëmshëm, i cili bie ndesh me të drejtat e garantuara të punëtorëve,” thuhet tutje në komunikatë.

Sindikata nënvizon se çdo tentim për të imponuar kontrata të pafavorshme bie ndesh me dispozitat ligjore dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kodit të Punës.

“Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë anëtarët tanë, që kanë kontrata me afat të pacaktuar, të mos nënshkruajnë këto versione të reja të kontratave, edhe në rast se ndihen të presionuar nga punëdhënësit. Kujtojmë se çdo formë presioni për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës (Ligji Nr. 03/L-212), e cila mund të sjellë pasoja ligjore për punëdhënësin. Çdo rast i tillë mund dhe duhet të raportohen në SBASHK për trajtim institucional,” përfundon njoftimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here