Mos e lani gjeldetin, shmangni dërrasat e djathit dhe nxirrni dezinfektuesin për pastrim tavoline

0
62

Këshillat e një eksperti higjiene që nuk sëmuret kurrë gjatë Krishtlindjeve

Po sikur të ishte e mundur të shiheshin me sy të lirë mikrobet dhe bakteret që lënë gjurmë nëpër kuzhinë?

Gjatë punës së tij në fushën e shëndetit mjedisor, eksperti ka pasur mundësinë ta bëjë këtë, duke përdorur kimikate speciale dhe dritë ultraviolet që i bëjnë mikrobet të ndriçojnë në sipërfaqe, rroba, lavamanë dhe doreza dyersh.

Këto baktere shpesh depozitohen nga gjeldeti i papërpunuar apo mishi i freskët, duke u përhapur nëpër kuzhinë, gati për t’u marrë nga duart dhe për t’u transferuar në gojë ose në ushqime të gatshme për konsum, si sanduiçët – duke shkaktuar helmim ushqimor.

Me mbi 40 vite përvojë, dhe me Krishtlindjet që afrojnë, eksperti ndan këshilla praktike për të shmangur sëmundjet tipike festive. Dhe sipas tij, këto këshilla funksionojnë: në moshën 64-vjeçare, ai nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë gjatë festave.

Pra, nëse synimi është që këtë sezon të “kapet” vetëm fryma festive, ja çfarë rekomandohet:

1. Pastroni frigoriferin para Krishtlindjeve

Frigoriferi duhet pastruar përpara çdo gatimi festiv. Kjo shmang mbipopullimin dhe lejon qarkullimin e ajrit, në mënyrë që temperatura të qëndrojë në ose nën 5°C.

Shumë produkte mbahen pa nevojë në frigorifer, si gjalpi i kikirikut. Nëse ka një ambient të freskët tjetër, si dhoma e shërbimeve, aty mund të ruhen salcat dhe konservat, duke liruar hapësirë për ushqimet më të rrezikshme.

2. Përqafime, jo shtrëngime duarsh

Shtrëngimi i duarve është një nga mënyrat më të shpejta për përhapjen e mikrobeve. Duart prekin vazhdimisht sipërfaqe të ndotura. Përqafimet (me duar të pastra) janë një alternativë më e sigurt.

3. Furnizohuni me letra njëpërdorimëshe

Letra e kuzhinës është thelbësore – jo vetëm për derdhjet, por edhe për pastrimin e sipërfaqeve ku përgatitet ushqimi.

Peshqirët prej letre njëpërdorimëshe ulin rrezikun e kontaminimit, ndryshe nga leckat që mund të përhapin bakteret edhe pas shpëlarjes.

Sipërfaqet dhe dorezat dezinfektohen para ardhjes së mysafirëve dhe pasi ata largohen. Gjithashtu, pjatat prej letre janë të dobishme nëse ndonjë i ftuar ka simptoma gripi.

4. Hiqni edhe peshqirët e duarve në banjë

Në vend të një peshqiri të përbashkët, rekomandohen peceta letre ose peshqirë të vegjël njëpërdorimësh.

Mikrobet mund të mbijetojnë në peshqirë nga disa orë deri në javë apo muaj. Viruse si norovirusi mund të qëndrojnë aktivë për ditë të tëra, ndërsa bakteret si Staphylococcus aureus deri në një javë.

5. Pa dërrasa djathi apo mishrash të përbashkëta

Dërrasat e djathit dhe të mishit janë festive, por shumë duar mbi të njëjtin ushqim rrisin rrezikun e ndotjes. Preferohen porcione individuale për secilin mysafir.

6. Mos e lani gjeldetin

Larja e gjeldetit – trend i përhapur në rrjetet sociale – është e panevojshme dhe e rrezikshme. Ajo mund të përhapë baktere si Salmonella dhe Campylobacter në sipërfaqe, rroba dhe ushqime të tjera.

Edhe nëse mishi përmban baktere, vetëm gatimi i plotë i eliminon ato.

Ambalazhet plastike të mishit hidhen direkt në kosh, pa u shpëlarë, dhe duart lahen menjëherë.

7. Por perimet duhen larë patjetër

Perimet e palara, sidomos ato që rriten në tokë, mund të jenë burim infeksioni (p.sh. E. coli). Ato duhen shpëlarë ose fërkuar mirë.

Pas larjes, sipërfaqet dhe lavamani duhen dezinfektuar, ndërsa duart lahen me sapun. Dërrasat e prerjes preferohet të jenë të përshtatshme për lavastovilje.

8. Mos u mbështetni te “lëngu i pastër”

Lëngu i qartë nuk është tregues i sigurt që mishi është gatuar. Temperatura është i vetmi kriter i besueshëm.

Përdorimi i termometrit shmang edhe mbigatimin.

Temperatura ideale: 75°C në pjesën më të trashë të gjeldetit.

9. Kujdes me guacat e detit

Guacat duhet të ruhen mbi akull dhe guaskat e tyre të jenë të mbyllura. Reshjet e forta mund të ndotin ujërat ku rriten.

Gjithashtu, salmoni i tymosur nuk rekomandohet për gratë shtatzëna dhe personat mbi 65 vjeç, për shkak të rrezikut nga Listeria.

10. Ftohini shpejt ushqimet e mbetura

Ushqimi i lënë jashtë, edhe një ëmbëlsirë, mund të shkaktojë shqetësime në stomak.

Ushqimet e lagështa janë terren ideal për bakteret. Ato duhet të ftohen shpejt dhe të futen në frigorifer brenda 60–90 minutave.

Mbetjet ruhen maksimumi dy ditë dhe ngrohen deri në 75°C para konsumit.

11. Mbani mikrobet larg lojërave të tavolinës

Scrabble dhe lojërat familjare janë pjesë e festës, por copëzat preken nga shumë duar. Dezinfektuesi i duarve duhet të jetë gjithmonë pranë.

12. Fytyra – zonë pa prekje

Eksperti shmang prekjen e fytyrës pa arsye. Sytë, hunda dhe goja janë hyrje direkte për mikrobet.

Larja e duarve është thelbësore, por koha është po aq e rëndësishme sa frekuenca: pas blerjeve, para ngrënies dhe pas përdorimit të tualetit. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here