Andreea Vilcan, këngëtare nga Rumania, që ka pushtuar rrjetet sociale me këngë shqipe, ka publikuar edhe ‘coverin’ e një prej këngëve më të njohura, “Mora fjalë”.
“Çka ndodhi në Kosovë uroj të mos ndodhë askund në botë. Kjo këngë flet për historinë e legjendarit Adem Jashari që sakrifikoi tërë familjen për liri. Sot ndërsa po këndoj këtë këngë, zemra ime qan për ngjarjet dhe vuajtjet që Kosova ka kaluar. Ju dua Kosova”, ka thënë ajo në hyrje të videos, duke njoftuar ndjekësit e saj me mesazhin e këngës.
Vilcan ka paralajmëruar po ashtu se më 28 nëntor do të vizitojë Kosovën.
Në vizitën e fundit që pati në Prishtinë, këngëtarja pati treguar për emisionin “Express” në KTV se çka e ka bërë të këndonte shqip dhe ta vizitonte Kosovën.
“Kam dëgjuar për vendin tuaj që kur kam qenë e vogël, por zbulova më shumë së voni sepse njoftova një person që është shumë special për mua, ajo është motra ime e shpirtit, pra për shkak të lidhjes sonë isha shumë kureshtare për vendin tuaj, kulturën, traditat, stilin e gjithçka dhe rashë në dashuri sepse e shoh se jemi shumë të ngjashëm”, pati thënë ajo.
Vilcan pati paralajmëruar edhe bashkëpunime me artistë e producentë kosovarë.