Komuna që zyrtarizon marrëveshje gojore, e nuk njeh dokumente zyrtare të veta, është shtet që e ka gojën më të rëndë se vulën. Mjaft më me “njoftime” sterile. Zgjidhni problemet. Respektoni qytetarët.
Edhe pse qytetarët kanë dokumente të lëshuara nga vetë Komuna e Prizrenit – para apo pas çlirimit – ata nuk po mund të realizojnë të drejtën e tyre më elementare dhe të garantuar me Kushtetutë, me ligjet në fuqi dhe me konventa ndërkombëtare, të drejtën mbi pronën private.
Arsyeja? Djegia e kadastrit. Një tragjedi e ndodhur para më shumë se 17 vjetësh, që sot shërben si pretekst i përhershëm për të mohuar të drejtën, për të vonuar vendimet, për të shpërfillur dinjitetin qytetar, e ndoshta – për të lëvizur interesat e dikujt.
Sot, Komuna e Prizrenit bashkë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës lëshojnë një njoftim fisnik, ku na premtojnë “rindërtim të kadastrit” në disa zona si Zhur, Lez, Landovicë, Lubinjë e Poshtme dhe Pllanjan. Projekt që do të bëhet “pa pagesë”, që do të “harmonizojë gjendjen faktike me atë juridike” dhe që do të “zyrtarizojë trashëgimitë dhe marrëveshjet gojore”.
Po qytetarët që kanë dëshmi të qarta? Ata që kanë trashëgimi të regjistruar? Ata që kanë dokumente komunale të para vitit ’99? Ata që kanë blerë pronë me kontratë noteriale pas luftës dhe janë regjistruar në zyrat komunale? Ata nuk kanë të drejtë mbi pronën e tyre sepse sistemi është i korruptuar, i pafuqishëm dhe me një burokraci që sillet sikur prona private është dhuratë nga pushteti, jo e drejtë e garantuar.
Nëse djegia e Kadastrit ka qenë një krim i kaluar, atëherë mosveprimi i institucioneve është një krim i vazhdueshëm. Dhe kjo djegie e dytë – djegia e shpresës, djegia e drejtësisë, djegia e besimit në shtet – është shumë më e rrezikshme se ajo e para.
Shkruan: Blerim Saramati
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online