Njeriu lind me një identitet të caktuar kombëtar dhe është e natyrshme edhe të vdes me të njëjtin identitet. Megjithatë me kalimin e viteve, për motive të ndryshme, ka raste kur identiteti edhe mund të ndryshohet. Psh në ish Jugosllavi ka pasur jopak raste kur njerzit ndjeheshin dhe deklaroheshin si jugosllav. Pavarësisht kësaj është e papranueshme të synosh tu imponosh edhe të tjerëve identitete të caktuara.
Eshtë evidente se në emër të drejtave të njeriut, në emër të drejtave fetare, vazhdimisht synohet që sa me pak shqiptarizem të mbetet tek shqiptarët, sa më pak të përngjajnë në shqiptarë.
Edhe pse e drejta fetare i takon sferës private megjithatë ka dekada të tëra që hapur investohet në forcimin e komponentës fetare (vetëdijës fetare) dhe dobësimit të asaj kombëtare.
Pra investohet në dobësimin e qenies shqiptare. Është fakt historik që secili okupator që e ka shkelur këtë vend, i ka pyllëzuar këto hapsira me objekte fetare, por jo me institucione që do ta forconin vetëdijen kombëtare. Shqiptarët nuk janë penguar gjatë frekuentimit të xhamijave apo kishave, por shkollat ishin në shënjestër të policisë serbe, sepse ato ishin antipodi i injorancës dhe asimilimit.
Është e drejtë e secilit të deklarohet apo konvertohet si të doj; arab, serb, turk, kroat, grek, rom, ashkali, gjerman, italian etj megjithatë kjo nuk nënkupton që ata kanë të drejtë të kërkojnë edhe nga të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse dikush nuk dëshiron të ndjehet më shqiptar, është e drejt e tij, por kjo nuk nënkupton që ai ka të drejtë tu imponojë edhe të tjerëve të njëjtën gjë. Një shembull të shëmtisë morale në këtë aspekt janë duke e dhënë poashtu edhe rrethe të caktuara politike, të cilat të motivuara nga përfitimi i ca votave, janë duke flirtuar bukur shumë me qarqe të tilla kundërshqiptare.
Kjo është mëse shqetësuese kur tendencat e tilla marrin përmasat e një fenomeni, pasi nën pretendimin e promovimit të kulturave hyjnore vazhdimisht bëhet përpjekje që kultura, tradita, identiteti shqiptar të largohet dhe të zëvëndësohet me identitete joshqiptare!
Institucionet tona shtetërore, duhet të kenë kujdes ndaj aktiviteteve të qarqeve të caktuara në Kosovë, të cilat të vëna në shërbim të agjendave të agjenturave të huaja, janë duke i trajtuar shqiptarët si gjallesa për eksperimente në laboratorët e tyre kundërshqiptar.
Shkruan: Agron LIMANI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online