Pasi Parlamenti miratoi ndryshimet e reja në ligjin për strehimin social gjatë këtij viti, punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të jenë pjesë e programit të kredive të buta me 0% interes. Ligji parashikon që me vendim të Këshillit të ministrave çdo vit do të hapen kuotat, ndërsa për vitin 2023, qeveria vendosi të hapë 300 kuotat e para, të ndara në mënyrë të barabartë për mjekët, policët dhe ushtarakët. Vendimi i publikuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtarenë do të hyjë në fuqi më 15 gusht.
Sipas vendimit, aplikimet e kandidatëve do të shqyrtohen bazuar mbi një sistem pikëzimi.
Policët dhe ushtarakët që të kualifikohen për programin duhet të jenë të martuar dhe të mos kenë një banesë në pronësi. Kriter tjetër është jetesa në banesa në rrezik shembjeje si rezultat i fatkeqësive natyrore. Mund të përfitojnë nga kredia me 0% interes të gjithë ata që jetojnë në banesa të mbipopulluara, familjet që humbasin banesën si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor ose janë banues në shtëpi që do t’u prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit si rezultat i investimeve publike. Sa i përket mjekëve, kriteret e strehimit janë të njëjta, por atyre nuk u merret parasysh niveli i pagës. Përfitues mund të jenë mjekët me kontratë të rregullt pune, ata që firmosin detyrimin për të shërbyer për pesë vite pas shkollës, mjekët që punojnë mbi 80 km larg vendbanimit në zonat rurale apo qendra sekondare apo terciare, si dhe ata me kontrata pune me afat të pacaktuar.
Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara përzgjedhja e tyre do të realizohet sipas sistemit të pikëzimit, të përcaktuar nga vetë institucioni përfitues.
VENDIMI
PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PËRGJITHSHME TË KREDIVE TË REJA PËR KATEGORITË PRIORITARE TË TË PUNËSUARVE PËRFITUES NË ADMINISTRATËN PUBLIKE
Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2023 janë 300, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:
a) 100 për mjekët e sistemit shëndetësor publik;
b) 100 për punonjësit e Policisë së Shtetit;
c) 100 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.
2. Për kategoritë e përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, përfituesit janë familjet e reja, të krijuara si rezultat i martesës së lidhur përpara nëpunësit të gjendjes civile, që përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit, të përcaktuar në tabelën 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3.Për kategorinë e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1,të këtij vendimi, përfituesit përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit, të përcaktuar në tabelën 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, përzgjedhja e tyre do të realizohet sipas sistemit të pikëzimit, të përcaktuar nga vetë institucioni përfitues.
5. Punonjësit e administratës publike përfitues përfitojnë kredi me interes 0%.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.